cogito ergo sum...

LOJA  E  JETËS

Progresi i racës njerëzore dhe kalimi nga një fazë tek tjetra është shoqëruar përherë nga urrejtja instiktive ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes, urrejtje që e ka karakterizuar këtë kalim, duke e shndërruar atë në një luftë në të cilën mungojnë fituesit dhe ku, si në vallen e vdekjes, konkurrentët ndjekin njëri-tjetrin mbi telin e hollë të jetës, ndërsa përpiqen të godasin dhe të mos goditen. Dhe nga poshtë turma e spektatorëve lëshon britma ngazëllimi sa herë që të mundurit e pafat rrëkëllehen tatëpjetë si fuçi boshe, duke tundur krahët në boshllëk. Në këto momente, pa dyshim çdo njëri prej atyre që shikon, e di mirë se do të vijë edhe çasti i tij. Ai çast në të cilin s'do të jetë më një spektator, por një luftues. Ndaj, ç'gjë e përkryer është ta shohësh skenën nga poshtë, pa kurrfarë rreziku, në kohën që të tjerët përleshen deri në fund mbi atë fije të hollë të ekzistencës. Sepse të gjithëve shpejt a vonë një këmbanë e padukshme na thërret për të hyrë në dylyftimin final dhe askush nuk e di se kur do të mbrrijë rradha e tij, veçse kur këmbana bie dhe nga tingujt e saj çdokush e kupton se kujt i erdhi ora.
 Por ndodh që një tingull paraardhës shoqërohet nga të tjerët, e më pas nga të tjerë akoma, e atëherë mbrrin momenti kur gjëmime të tëra këmbanash caktojnë ditën e përleshjeve të mëdha. Dhe janë pikërisht këto ditë që pëlqehen më shumë nga spektatorët gjakdashës, sepse në ditë të tilla mund të shohësh të fluturojnë poshtë disa vetë njëherësh dhe klithmat e njërit përzihen me britmat e tjetrit. A nuk është ky me të vërtetë një spektakël i mrekullueshëm? Sytë e viktimës që bie janë të zgurdulluar nga tmerri dhe dhimbja, sepse dhimbja fizike e kontaktit me tokën s'është aspak e frikshme përballë asaj tjetrës, të cilën e ndien tek bie tatëpjetë dhe shikon se asgjë nuk të mbron më nga fundi i sigurtë; as edhe shpresa e vakët se ata poshtë mund të të presin në krahët e tyre, ose të paktën ta frenojnë deri diku goditjen. Por kjo nuk ndodh dhe natyrisht nuk ka ndodhur kurrë, ndryshe ku do të qëndronte argëtimi? E nëse atje, mes turmës se atyre mamlukëve që shqyhen gazit, tek vështrojnë viktimën që fluturon drejt tokës, ka ndonjë zemërbardhë që mendon të shtrijë një dorë për ndihmë, as ai nuk e bën këtë, sepse i vetëm nuk është në gjëndje ta ngadalsojë rënien. Në fund të fundit ai e di po aq mirë sa kushdo se do të vijë shpejt dhe rradha e tij dhe atëhere askush s'ka për ta pritur. Prandaj ç'vlerë ka të shpëtosh të tjerët kur nuk shpëton dot vetveten? Kështu asnjeri nuk reagon dhe loja vazhdon pa ndërprerje.
 Megjithëse do të qe  e lehtë, kur mendon se do të mjaftonin disa duar dhe të tërë do të shpëtonin. Por po të ndodhte kjo, natyrisht që shfaqja do të humbiste kuptimin e saj, e s'do të kish as më të humbur, e as fitimtarë. Atëherë as spektatorët s'do të ishin të pranishëm. Mos vallë kjo do të quhej lojë? Të jetosh thjesht, pa asnjë lloj ankthi është njëlloj si të mos jetosh fare. Kënaqësia qëndron te fakti nëse mundesh ta bësh jetën të rrezikshme deri në atë pikë sa të ndiesh kthetrat e vdekjes të të prekin krahët dhe frymën e saj të ledhatojë faqen tënde. Veçse, kur hipën mbi tel, e di fort mirë se ke firmosur fundin tënd. Shpejt a vonë do të jesh i humbur, i flakur në hapësirë, pa pikë mbështetjeje dhe pa shpresë kthimi. Dhe këtu kënaqsia zbehet. Sepse joshëse është të rrezikosh deri pranë fundit, por jo ta provosh atë.
 Mbase, pikërisht për këtë arsye, loja e vërtetë e vdekjes ka mbetur në përfytyrimin e njerëzve dhe realiteti i ndryshëm nga ajo, u rezervon atyre lodra më pak të tmerrshme, ku nuk mungojnë pa dyshim të humburit dhe fituesit. Mungojnë vetëm spektatorët dhe këmbanat që bien për ta.
 

                  Artur Peçi
  marrë nga vëllimi "Përhumbja e Shpirtit"



 
 

...gjithçka te gruaja ështe mister
dhe gjithçka te gruaja ka një zgjidhje...


SHKO E ZBULOJE..!    KLIKO KËTU