ORA E NDARJES
Ndërsa kthehesh
i kërrusur e i lodhur dhe me hapa përtacukë përshkon
të njëjtën udhë, kujton edhe një herë atë
çast fluturak të pakapshëm, atë minutë
të pashtershme gjatë së cilës mund të ndryshoje
kuptimin e jetës tënde, duke shprehur me zë të lartë
dëshirat që fërgëllojnë nën cipën e
shkalafitur të zemrës. Mund të zgjasje duart e mjera dhe
me gishtërinj të dridhur të rrokje imazhin që tretej
në mjegull për të mos u kthyer më kurrë. Sepse
jo ndarja, por çasti para saj, fsheh në vetvete ankthin e hirtë
të harresës dhe vetminë ëndrravrasëse që
do të vijë më pas. Fatkeqësisht ti e ke kaluar cakun
e tij. Kohën e artë kur rruga nuk ka ende një kthim, kur
kujtimet e pështjelluara nga vegime të reja s'janë zhytur
akoma në llumin e plogështisë së përditshme dhe
brenda vetes gjallon përsëri dëshira për të mos
humbur burimin e ëndrrave të tua. Dëshira për të
gjetur paqe në prehërin e ditëve të shkuara, ku zhurma
e neveritshme e akrepave të sahatit s'ka nisur të coptojë
me thonj të fëlliqur durimin tënd të madh, gazin e
hareshëm që shpërndan retë e frikës dhe frikën
vetë. Është ora e ndarjes...
Më kot përpëlitesh
në dyshimet e marra që risjellin të coptuara në kujtesë
shpresën e vagëllt se gjithçka nuk është e vërtetë,
se ende ka kohë, ca momente të mjera gjatë të cilave
ia del të mbrrish përtej cakut ndarës dhe si fëmija
që fshin me djallëzi, vjedhurazi të tjerëve, kufijtë
e lojës, të shtysh kështu me një nxitim të ethshëm
çastin e frikshëm. Dhe një herë të shtyrë,
të ndiesh si kthehet besimi te e ardhmja, si pështjellohen ëndrrat,
si zbehet frika, edhe pse ndarja vetë do të ndodhë një
ditë dhe pesha e saj sërish do rëndojë mbi gjoksin
tënd të gjymtuar. Më kot rrekesh t'i shmangesh asaj, më
kot largohesh nga vend i largimit. O shpirt bredharak i pandreqshëm!
Kudo të arratisesh, edhe mes kujtimeve të tua, përsëri
vjen e të gjen tik-taku i neveritshëm e mundimndjellës i
orës që afrohet, çasti kur duhet të zgjasësh
duart për të fundit herë dhe të përshëndetesh
me atë që shkon, pa shpresuar se mund të kthehet një
ditë, në një kohë tjetër, duke mbushur boshllëkun
që shkakton ndarja. Është ora e saj...
Klith me zërin
e zemrës dhe mos u druaj nëse britmat e tua të çjerra
prishin paqen e vranët që ndehet përreth. Ngriji duart në
ajër dhe me gishtërinjtë që dridhen si gjethe vjeshte
shtrëngo të paktën copëzat e fundit të ronitura
të ëndrrave të vrara, pa u trembur se mos ndarja të
ndan edhe prej tyre. Janë të tuat.., tashmë e përgjithmonë.
Dhe duke i rrokur ato, duke i pushtuar thellë kraharorit në një
përqafim të mundimshëm, arrin të kuptosh se ende të
ka mbetur diçka, se nuk i ke humbur të gjitha. Ora e ndarjes
ka kaluar dhe ti je ende aty, ti nuk ke filluar të hedhësh hapat
e lodhur në rrugën e urryer të kthimit duke kujtuar çastin
e shkurtër që ndryshon kujtimin e jetës, ti vazhdon të
jetosh edhe pse i vetëm...
Dhe kështu
i vetëm vazhdo të jetosh!
Largoji kujtimet
e ditëve të shkuara, imazhin e trishtë e çmendurak
të asaj që iku, trembi hijet e errta që të frikësojnë
aq tepër, fshije cakun e fshehur që rrëfen të fundit
kufi dhe pa u ndrojtur nga shikimet e vranëta të të tjerëve,
rrotulloju rreth vetes si flutur e dehur nga drita, sepse ora e mundimshme
nuk të shqetëson më. Zhurma e hapave që largohen mbulohet
nga hapa që vinë dhe kumbimi i tyre është melodia e
këndshme që ledhaton shpirtin e brengosur, rilind kujtimet dhe
shndërron orën e mallkuar të ndarjes në një orë
takimi.
Kudo që
të endesh, edhe në humnerat e frikshme të dyshimeve të
tua, gjendet përherë dikush që të pret, dikush që
nuk belbëzon me buzë të dridhura fjalë lamtumire, që
nuk përlotet nën peshën qesharake të ikjes, por nxiton
ecjen në këtë çast drejt të njëjtit vend.
Dhe kjo ecje i ngjan një vrapi të marrë drejt lumturisë,
një rrezeje drite të dalldisur që çan errësirën
e heshtjes, ku vetmia, edhe pse e mbetur vetëm me ty, i trembet afshit
tënd të zjarrtë që shkrin muret e akullt të harresës.
Flaki nga pas
fjalët verdhacuke të pëshpëritura me zë të
sëmurë, ëndrrat idhnake që ravgojnë në zgavrat
e shterpërta të fantazisë, gjithë atë ankth të
mundimshëm i cili deri pak çaste më parë të
pështjellonte kujtimet. Dhe duke i flakur kështu, ndien si rikthehesh
sërish në jetë, si vërshon gjaku në damarët
e përgjumur, si përpëliten e vdesin dyshimet e turbullta
me retë e fundit të mjegullës.
O shpirt bredharak
i pandreqshëm: është kjo ora e ndarjes..!
Artur Peçi
marrë
nga vëllimi "Dy fytyrat e Hijes"
...JEPU PËRGJIGJE PYETJEVE QË SHQETËSOJNË JETËN
TËNDE