- Çfarë
është e rëndësishme në jetë?
- Të
njohësh vetveten. Atë krijesë qesharake e të dashur
që klith me zërin e zemrës dhe të kujton se kurrë
nuk mund të jesh plotësisht i vetëm. Sa herë kridhesh
mes mendimeve të tua, sa herë dyshimet nisin e braktisin bregun
e qeshur , nis e kujton me mall çastet e shkuara, të mbetura
pas, copëzat e dashura që lidhin të tashmen, natyrën
e ekzistencës tënde me të kaluarën dhe gjithçka
tjetër. Dhe pikërisht atëhere vetja fillon e klith me zë
të heshtur që buçet brenda teje dhe ti ndien nevojën
për të parë me sytë e shpirtit diku thellë, përtej
dyshimeve të tua, guximit të munguar, dëshirës së
humbur, përtej vetvetes, atje ku edhe ti vetë nuk je më
një i tërë, por thjesht një mendim, një grimcë
ëndrre, një çast fluturak i pakapur, thjesht asgjë.
- A beson
te dashuria?
- Besoj
te nevoja për të dashuruar dhe te pamundësia për ta
shijuar atë deri në fund, duke ndjerë lumturinë e vërtetë
që pothuajse nuk ekziston kurrë. Ekziston mbase vetëm dëshira
për të qenë i lumtur dhe kjo është një lloj
ngushëllimi që ngazëllen zemrën.
- Cili është
kuptimi i jetës?
- Ta jetosh
atë në çdo minutë dhe, kur akrepat e orës të
bashkohen te dymbëdhjeta dhe këmbana e kullës së vjetër
të bjerë për të fundit herë, të mundesh të
kthesh edhe një herë kokën pas, duke jetuar minutën
e fundit.
- Mund të
jetohet duke urryer?
- Atëherë
kur urrejtja shndërrohet në kuptim për jetën.
Kur dashuria nuk të ngop më, kur te ajo nuk gjen forcën
që të duhet, fare lehtë mund ta ndërrosh me urrejtje.
Dashuria sado e përsosur është e çalë dhe një
ditë mbaron, urrejtja është e plotë, e papërsëritshme,
hyjnore. Dhe kuptimi i jetës: të jetosh duke urryer është
një ideal që nuk konsumohet kurrë, sepse gjithmonë
është e lehtë të gjesh një motiv për të
urryer. Atëherë kur të mungojnë të gjitha arsyet
për të urryer dikë ose diçka, fillon e urren vetveten
dhe kjo nuk soset më asnjëherë.
- Kur humbet
dëshira për të jetuar?
- Kur s'ke
mundur ta gjesh dot atë, kur mendon se e ke humbur, por në fakt
të ka munguar dhe kurrë s'e ke patur. Të gënjesh
veten duke thurur një ëndërr mbi ekzistencën tënde
për shkak të një arsyeje objektive, nuk do të thotë
t'i japësh asaj një kuptim. Nuk humb kuptimi i jetës, humbet
dëshira për të jetuar. Dhe kjo e fundit nuk gjehet më
veçse duke parë përpara, në atë horizont të
mjegulluar e të zbrazët e duke shpresuar se do të arrish
më së fundi t'i japësh një shpjegim logjik sakrificave
dhe mundimeve të tua vite me rradhë, ëndrrave të thyera,
dëshirave të vrara, mohimit të gjithçkaje. Të
shpresosh edhe kur nuk shpreson më, të besosh në mungesën
e besimit, të lumturohesh kur je i palumtur, ja marrëzia e vërtetë
që të bën të dashurohesh sërish me jetën.
Por ta rigjesh kuptimin e saj; nuk e besoj..!
- A vlen
të sakrifikohesh për një ideal?
- Ia vlen
të sakrifikosh idealin. Asnjë i tillë, sado sublim nuk ia
vlen sakrifikimin.
- Mund tëbesosh
te të tjerët?
- Beso
të vetja. Ajo kurrë s'të tradhëton. Mbase ti mund ta
tradhëtosh atë duke mos besuar më. Besimi ndodhet brenda
teje, përreth ka vetëm dyshime.
- A të
ndihmojnë ëndrrat?
- Përkëdhelin
shpirtin dhe shtojnë kujtimet edhe kur janë të marra. Të
ëndërrosh do të thotë të ushqesh shpresën,
të forcosh dëshirën për t'i bërë realitet.
Por kur nuk ia arrin, përsëri ia vlen të ëndërrosh.
Ëndrrat janë burim i vegimeve dhe këto të fundit ndihmojnë
të jetosh më mirë mes të këqijave të jetës.
- Janë
lotët pasqyra e shpirtit?
- Shpirti
është imazhi që përthyhet në prizmet e tyre. Esenca
e tij rrjedh përbrenda duke kristalizuar kuptimin e ekzistencës.
Lotët janë mbase ana e pasme e pasqyrës, ajo që nuk
shihet. Dhe vetë pasqyra s'është asgjë.
- Përse
i druhemi dhimbjes?
- Nuk i
druhemi dhimbjes, i trembemi vuajtjes që shkakton ajo. Sikur dhimbja
e ëmbël të mos sillte trishtimin e athët nga pas, do
të ishte më e dashur se vetë dashuria. Ajo nganjëherë
forcon shpirtin dhe kurajon për ta përballuar dhe shpesh mundon,
deri në braktisje, deri në flijim, përçon mungesën
e guximit për ta duruar të tërën. Ndërsa vuajtja
do të ishte e mangët pa motivin e saj, pa shtyllën kurizore
të arsyes. Humbja e kësaj të fundit largon vuajtjen, por
dhimbja mbetet dhe mbase më mirë kështu. Haresa e saj do
të sillte një dhimbje tjetër që nuk fashitet kurrë,
pamundësinë për ta mposhtur atë. Sepse ta mposhtësh
dhimbjen nuk do të thotë ta harrosh. Kush harron ka pushuar së
jetuari.
- Sa emra
ka lumturia?
- Vetëm
një. Dhe kur mungon arrijmë të gjejmë emrin e saj të
vërtetë, ndonse askush nuk guxon ta shqiptojë me zë
të lartë dëshirën për të qenë i lumtur.
- Plotësohen
shpesh dëshirat?
- Plotësohet
vetëm një: dëshira për të pasur dëshira.
Ajo nuk të braktis kurrë dhe ne kurrë nuk lodhemi së
dëshiruari.
- Mundet
zemra t'i bindet arsyes?
- Shpesh
ndodh e kundërta. Arsyeja troket në dyert e zemrës. Kjo
e fundit ka gjithçka përveç arsyes. Logjika njerëzore
është e trishtuar, zemra e marrë. Dhe marrëzia e saj
të jep çastet e këndshme e të pakthyera të lumturisë.
Të arsyetosh do të thotë nganjëherë të frenosh
rrahjet drithëruese brenda kraharorit. Lëre zemrën të
dridhet dhe do të ndihesh i lumtur, ndonse i paarsyeshëm. Atëherë
ia vlen të jesh i marrë.
- Dhe jetohet
kështu?
- Jo. Kështu
njeh vetveten. Duke dëgjuar zërin e saj. Të jetosh do të
thotë t'i bindesh arsyes. Prandaj jeta është shpesh e trishtuar,
e huaj edhe pse e arsyeshme. Dhe kështu jetohet ..!
Artur Peçi
marrë nga "Shënime"